
Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PD-së denoncoi sot në emisionin “Arnautistan” në MCN TV një rast flagrant presioni për votën gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.
Ai tha se një familje në Klos të Matit i kishte premtuar votën, por mjekja e zonës e cila mjekonte djalin e tyre që vuante nga një sëmundje kronike i kishte detyruar të betoheshin se do të vonin për PS, përndryshe siç u shpreh Çollaku, mjekja nuk do ua “prekte me dorë djalin”.
“Nuk jam i pezmatuar për humbjen apo që Basha nuk u bë kryeministër. Mendoj që fenomeni që nuk dëmton vetëm një forcë politike, por sistemin në tërësi. Ne u përballëm me shtetin, gjithmonë ka ndërhyrë shtetin dhe unë nuk bëhem nihilist për këtë gjë, por asnjëherë struktura shtetërore nuk është vënë totalisht duke thyer çdo kufizim. Po them një rast flagrant, nuk ka lidhje me blerjen e votave se kjo është bërë rutinë. Kam shkuar në një familje në Klos të Matit, takova familjen dhe ata kishin një fëmijë të mitur me sëmundje kronike. U kërkova votën, më thanë që do ma jepnin se isha djalë i tyre dhe u largova, vazhdova fushatën time. Pas një jave më merr ai burri i familjes në telefon dhe më thotë kam një hall të madh. Më tha që i kishte shkuar doktoresha që i mjekonte djalin që është ndër eksponentët e PS në atë zonë dhe i kishte kërkuar votën duke i thënë: “nëse do të ta prek djalin me dorë do zësh be kokën e djalit që votën nuk do ia japësh Kreshnikut”. Dhe ky burrë më ka marrë në telefon, më ka thënë që kishte zënë be djalin dhe mua më kishte dhënë fjalën. I thash mos e prish be-në e djalit dhe mua më ke bërë borxhin e jetës që ma ke thënë. Është mbërritur deri në këto nivele. Aty janë shpërndarë para, është vënë në funksion policia që lejonte makinat e grupeve që paguanin për votat. Por këto s’më kanë tronditur, ajo ngjarje më ka tronditur më shumë. Ka pasur momente kur kam thënë: “A kjo është politika, nuk e dua””,tregoi Çollaku.



