
Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta shtyrë masën e gjobitjes për 48 orë, Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate për media ka shprehur zhgënjimin e tij që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të bien dakord të hënën me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se SHBA-ja është tejet e zhgënjyer me liderët e Kosovës dhe Serbisë, pas mospajtimit për targat në Bruksel.
Në një deklaratë në faqen zyrtare të DASh-it, Price bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçic, që të punojë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak për të arritur një kompromis të drejtë.
Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të bien dakord sot me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë.
Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të punojë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së Lajçak për të arritur një kompromis të drejtë.
Tutje, DASH thekson se Kurti dhe Vuçiç do të duhej të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me dekada të vështira në një rajon tashmë të brishtë.
Ne i bashkohemi BE-së për t’i bërë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të përshkallëzonte tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave të automjeteve.
Të dyja palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave provokues, të përmbushin detyrimet e tyre sipas Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme.



