
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot nga raportimi në Kuvend, se ndërtimi i organeve të reja të drejtësisë e kanë bërë këtë legjislaturë nga më të rëndësishmet e tranzicionit.
Spiropali në fjalën e saj në Kuvend tha se, “ne si qeveri dhe shumicë në seancën e parë plenare të kësaj legjislature në shtator 2017, u zotuam të kalojmë paketa ligjore që të thellojmë reformat ekonomike dhe politike, me dy kryefjalë, Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore”.
“Kjo legjislaturë ishte vendimmarrës për përparimin e Reformës në Drejtësi dhe Reformës Zgjedhore. Ne ia mbërritëm të bëjmë funksionale Gjykatë Kushtetuese me 7 anëtarë, ashtu siç kemi ngritur të gjitha institucionet e drejtësisë së re, qeverisja e drejtësisë së re është pothuajse plotësisht funksionale, me pritshmëritë e plotësimeve në Gjykatën e Lartë që është sot në punë. Por rruga deri këtu nuk ka qenë fushë me lule por një mal vështirësish. Ndërtimi i organeve të reja të drejtësisë e kanë bërë këtë legjislaturë nga më të rëndësishme e tranzicionit. Në mandatit e dytë qeverisës prioriteti ynë i patjetërsueshëm ishte shteti i së drejtës, një sistem drejtësie me këto tipare është parakusht i domosdoshëm për forcimin e shtetit, respektimin e të drejtave dhe lirive të individit, barazinë e shtetasve para ligjit, përparimin shoqëror dhe ekonomi të vendit si dhe ecurinë e procesit të integrimit. Kuvendi pati rol vendimtarë në përmbushjen e këtij detyrimi qeverisës dhe kombëtar. Në 2018, u zgjodhën 10 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësues nga avokatia, shoqëria civile. Kuvendi po ashtu në 2019-2020 zgjodhi tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar plotësisht detyrimin. Kuvendi Zgjodhi Inspektorin e Lartë të drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm duke finalizuar një proces verifikimi, vlerësimi me rëndësi të posaçme”, u shpreh ajo.
Nga foltorja e Parlamentit, Spiropali përmendi si një nga rritjet, çlirimin e institucionit të presidentit nga një përdhosës recidivist të kushtetutës, siç tha ajo, teksa paralajmëroi konsultim të gjerë politik për zgjedhjen e afërt të presidentit të ri.
“Në procesin legjislativ 2017-2020 të gjithë bashkë miratuam paketën e dytë të ligjeve të reformës në drejtësi me 10 projektligje nuk përmbyllur kështu reformë më të rëndësishme të ndërmarrë nga kjo shumicë dhe ky Kuvend nëpërmjet Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Çështjet Ligjore. Ne premtuam dhe punuam që Reforma Zgjedhore të miratohej, më tepër se një sërë ndryshimesh ligjore në Kodin Zgjedhor apo Kushtetutë ne synuam konsolidimin e një kulture politike demokratike duke përfshirë të gjitha palët, edhe përkundër situatës politike të paprecedent të krijuar nga opozita që preferoi braktisjen e detyrës. Shqipërisë i dhamë një Kod të ri Zgjedhor, institucione dhe strukturë zgjedhore të re. Nuk bëmë sa dëshiruam për depolitizim tërësor të administrimit zgjedhor, por bëmë sa mundëm në kushte e një politizimi ekstrem. Në dritën e ndryshimeve zgjedhjet u vlerësuan nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës si zgjedhjet më të mira të mbajtura pas periudhës së tranzicionit. Aty theksohet se votimi ishte i qetë, i sigurt dhe korniza ligjore siguroi respektimin e lirive themelore. Vlerësohet reformimi i KQZ-së, zbatimi i teknologjive të reja si identifikimi dhe votoi elektronik, Çmohet përfaqësimi gjinor ku 35% e Kuvendit do të jenë gra. Theksohet se qeveria shqiptare përmbushi angazhimin e saj për mbajtjen e zgjedhjeve të barabarta, të lira të ndershme dhe të standardeve të përparuar. Me 104 vota çliruam institucionin e Presidenti nga një përdhosës recitivist i Kushtetutës dhe frymëzues i konfliktit politik. Tani kemi përpara detyrën të një procesi të hapur konsultimi të gjerë për zgjedhjen e afërt të Presidentit të ri”.
“Puna e Kuvendit merr edhe një vlerë më të madhe duke patur parasysh kushtet e jashtëzakonshme dhe sfidat e paprecedenta që kaluam bashkarisht. Nuk kam parasysh vetëm tërmetin dhe kufizimet e pandemisë, por sidomos kufizimet e demokracisë tonë ende në rritje, papjekurinë ulëritëse që opozita demonstroi me braktisjen e mandateve dhe përgjegjësive parlamentare. Kjo sfidë e vuri Kuvendin, sistemin politik dhe Shqipërinë në një situatë të paprecedentë”, tha ajo.



