Gjatë seancës së sotme në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngritën shqetësime të forta mbi çmimin e naftës dhe modelin e tregut të hidrokarbureve në Shqipëri.
Braçe theksoi se Shqipëria ka çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në rajon.
Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin, më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi.
Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, që kërcënon sigurinë kombëtare. Ky model garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg.
Nga ana tjetër, Blushi kritikoi heshtjen e Kuvendit për krizën e çmimit të naftës duke e konsideruar si krimin më të madh.
Sot Kuvendi vjen erë naftë, sepse shumica nuk mbrojnë interesin publik, por të një karteli që, në bashkëpunim me Edi Ramën, ka shtuar kostot për çdo shqiptar.
Nuk ka krim më të madh sesa heshtja për një krizë që rëndon xhepin e çdo qytetari. Ky Bord zhvatës vetëm e rëndon barrën fiskale ndaj shqiptarëve.
Të dy deputetët theksuan nevojën për ndërhyrje të menjëhershme në modelin e tregut dhe kontroll më të rreptë për të mbrojtur konsumatorin dhe sigurinë kombëtare.



