Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Shkodrës duke u ndalur në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ku u prit nga Rektori Adem Bekteshi, trupa pedagogjike dhe studentët e shumtë, para të cilëve mbajti një leksion të hapur.
Presidenti Nishani në fjalën e tij foli për dinamikën dhe përgjegjësinë që kanë të gjithë intelektualët lidhur me zhvillimet e brendshme politike, ekonomike, sociale e kulturore dhe ecurinë e vendit, si dhe për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Kërkesa ime si President i Republikës, por edhe si qytetar, drejtuar profesorëve, pedagogëve, studentëve është që ju të fokusoheni në platforma konkrete zhvillimore politike, ekonomike, shkencore, teknologjike dhe kulturore, sepse vetëm në këtë mënyrë do të përmirësohemi, duke përmbushur edhe përgjegjësitë që kemi ndaj brezave të rinj dhe atë çka do t’u lemë atyre trashëgim.” theksoi Nishani.



