
Sot shënohen 62 vite nga vdekja e Ahmet Zogut, i cili ndërroi jetë më 9 prill të vitit 1961, në Paris.
Mbreti i Shqiptarëve, Ahmet Muhtar Zogolli, i biri i Xhemal Pash Zogut dhe i Sadie Emin bej Toptanit, u lind më 8 tetor 1895 në fshatin Burgajet të Matit. Mentorët e tij të parë qenë Dervish Hima, Sali Torra dhe Hafus Ismeti.
Në moshën 7-vjeçare do të largohej nga vendi për të vijuar edukimin në Turqi, ku krahas liceut francez të Stambollit kreu kursin e oficerëve rezervë.
Në atdhe do të kthehej më 20 korrik 1912, në kohë për të kremtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Relativisht herët, do të niste rrugëtimin e tij në politikë në postin e ministrit të Brendshëm.
Më 31 janar 1925, do të shpallej President i Republikës Shqiptare, ndërsa më 1 shtator 1928 do të mbërrinte në apogje të karrierës, duke drejtuar monarkinë shqiptare.
Në qeverisjen e vendit, Ahmet Zogu zbatoi një varg reformash në fushën sociale, kulturore e arsimore, nga të cilat më të rëndësishmet ishin ato në fushën e legjislacionit, si Kodi Penal (1927), Kodi Civil (1929) dhe Kodi Tregtar, i hartuar sipas modeleve të vendeve perëndimore.
Pas sulmit të Italisë Fashiste kundër Shqipërisë, Ahmet Zogu bashkë me familjen e tij u largua nga Shqipëria, për t’u vendosur fillimisht në Greqi, prej nga ku do të merrte udhë një kalvar mërgimi me ndalesën e fundme në Francë.
Në vlerësim të kontributit si shtetar, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u organizua një ceremoni zyrtare për kthimin e eshtrave të tij në atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e familjes mbretërore. Gjithashtu, në këtë kuadër, u dekorua nga presidenti i Republikës me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.



