Opozita parlametnare në një letër dërguar kryetarit të parlamentit Gramoz Ruçi, i ka kërkuar atij që të mos vazhdojë me vënien në zbatim të “pazarit” për Reformën Zgjedhore, të arritur mes PS-së, PD-së dhe LSI-së, sepse ata nuk do ta votojnë.
Për më tepër, në kërkesën e bërë, kanë vendosur dy kushte që Reforma Zgjedhore të votohet.
Sipas opozitës parlamentare “Kodi i Ri zgjedhor duhet që të jetë i ri, e jo një arnim i Kodit të Vjetër zgjedhor, ku shkelen me të dyja këmbët rekomendimet e OSBE/ODIHR”
Deputetët opozitarë, kërkojnë që shumica duhet që të krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur për kalimin nga listat e mbyllura te të hapura.
Opozita parlamentare e bëri të qartë se në rast të mosplotëismit të dy kushteve “nuk do ta votojë produktin e dalë nga një marrëveshje pazari jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.”
Në kërkesën e bërë kryetarit të parlamentit, Gramoz Ruçi, deputetët e bëjnë të qartë se as ai dhe as të tjerët nuk duhet të mendojnë se “ata janë kartonë të djegur në shërbim të kreut të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi”, të cilët i quajnë kartë e djegur.



