
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, zhvilloi sot një takim me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro.
Nikolla i bëri me dije Ribeiro-s se angazhimi i saj do të jetë maksimal për lirinë e shtypit, si një shtyllë e demokracisë.
“Kuvendi është i vendosur për garantimin e lirisë së shtypit, në mënyrë të plotë e pa pengesa. Ne mbetemi gjithashtu të përkushtuar për të bashkëpunuar për të garantuar sigurinë e gazetarëve, si edhe qasjen në informacion të besueshëm, përmes shtypit të lirë, të pavarur, pluralist dhe të larmishëm, duke zbatuar standardet ndërkombëtare”, u shpreh Nikolla.
Nga ana tjetër Përfaqësuesja e Lartë e OSBE-së, uroi Nikollën për detyrën e re si kryeparlamentare.
Ajo vuri në dukje vullnetin e saj për të bashkëpunuar për përmirësimin e legjislacionit shqiptar për median, në zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, standardeve të BE-së dhe OSBE-së.
Në përfundim Ribeiro e vendosi theksin te harmonizimi i nevojës publike, legalitetin e proporcionalitetin nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës.
Gjatë ditës së sotme, në Konferencën e Kryetarëve, u vendos qe pas më shumë se një viti mungesë, gazetarët do të lejohen të ndjekin punimet e seancës plenare në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.




