
Në Bruksel përfunduan sot bisedimet midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me zyrtarët evropianë, por pa takim trepalësh mes tyre.
Delegacionin e Kosovës gjatë dy ditëve negociata e udhëhoqi zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa atë të Serbisë shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të fundit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për bisedime, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se janë zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se temat e diskutimit kanë qenë energjia, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.
Bislimi ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh, dhe sipas tij pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë sepse ato, sipas tij, “duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.
Ai tha se ekziston një “marrëveshje parimore”, në bazë të së cilës, në takimet e përbashkëta diskutohen vetëm temat për të cilat bien dakord të dyja palët, raporton Radio Evropa e Lirë.
Bislimi tha se në takimet në Bruksel është biseduar edhe për lirinë e lëvizjes, si dhe për rastin kur Serbia, sipas tij, e ka shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen për lëvizje të lirë, duke mos lejuar që boksierët nga Kosova të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që është mbajtur javë më parë në Beograd.
Bislimi ka bërë të ditur se është folur edhe për, siç u shpreh, “pengesat që i ka bërë Serbia Kosovës në transferimin e 100 mijë eurove, të dedikuara për Preshevën”.
Ai tha se ka biseduar me zyrtarët evropianë edhe për lejimin e vizitës së Petkoviçit në Kosovë dhe sqaroi se autoritetet e Kosovës ia kanë ndaluar atij vizitat, për shkak të “gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes”, që ka përdorur gjatë vizitave të mëparshme.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar mundësinë e një takimi midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para fundit të vitit.



