Avokati Arben Llangozi në MCN Live, bëri një sërë deklaratash të forta mbi funksionimin e institucioneve, ndërtimin dhe lidhjet mes politikës, drejtësisë dhe krimit të organizuar. Ai ngriti akuza dhe pretendime që, sipas tij, tregojnë një gjendje të rëndë në vend.
Ai pretendoi se në disa sektorë, sipas tij, ekziston ndikim i krimit të organizuar dhe mungesë e hetimeve të plota për çështje të caktuara.
Jam një punonjës i SHISH sot, Ergjys Agasi shëtit nga Tirana në Durrës me makinë Audi A8 në pronësi të SHISH. I mbrojtur nga shefja dhe nga shefi i SHISH? Në muajin shkurt më ka ardhur ky mesazh kur Agasi ka qenë në kërkim, dakord? Audi tjetër i zi… e dini kush është Audi. Dhe ja ua tregoj edhe ju, se ndoshta do thonë që po gënjen.
Ai vijoi duke ngritur shqetësime për mënyrën se si, sipas tij, funksionojnë institucionet dhe për ndikimin në sistemin e drejtësisë.
Thonë 60% e ndërtimit është në dorë të krimit të organizuar. Atëherë çfarë të themi ne? Ta marrë vesh gjithë kush janë institucionet shtetërore shqiptare. Kjo është Shqipëria, ky është shteti ynë. Dhe nëse kjo protestë nuk do ketë efekt, do ikim nga Shqipëria, do gjejmë një vend tjetër, do punojmë në market, sepse do jemi më të qetë. Sepse në krye të gjykatave kemi patronazhistë, kryeprokurorë patronazhistë, që mbështesin njëri-tjetrin.
Në deklaratat e tij, ai përmendi edhe çështjen “Eko Tirana”, duke pretenduar lidhje dhe mungesë hetimesh për të.
Eko Tirana e kam bërë kallëzim unë, e kanë atje. Është kompani e lidhur me Bashkinë e Tiranës dhe që janë ortakë me ‘Ndragetën’. Të arrestuar nga njëzet vjet janë ortakë të ‘Eko Tiranës’, pse nuk hetohet? Pse? Pra të gjitha këto janë problematika që kanë irrituar gjithë kombin, dhe me të drejtë. Të gjithë qytetarët që dalin në shesh, e kanë mbushur sheshin plot. Duhet të mblidhen sa më shumë. Nuk mund të pretendojmë që kemi institucione, pra s’kemi institucione, kemi kapje institucionesh nga krimi.
Në përfundim të deklaratave të tij, ai kërkoi që sipas tij të ketë më shumë veprim institucional dhe kallëzime konkrete.
Pra nuk mjafton vetëm deklarata, duhet kallëzim. Pse nuk bëhen? Sepse janë të lidhur. Nuk janë të paaftë, kanë zyra juridike, avokatë, struktura. Por janë të lidhur dhe interesohen për të ardhurat.



