Ervin Salianji, komentoi zhvillimet politike në Hungari dhe bëri një krahasim me situatën në Shqipëri, gjatë një interviste në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV.
Salianji theksoi se humbja e kryeministrit hungarez Viktor Orbán nuk lidhet vetëm me faktorë të jashtëm, si qëndrimi i Evropës apo i Shteteve të Bashkuara.
Nuk ka të bëjë vetëm me mbështetjen ose jo nga Evropa apo SHBA. Këto janë elementë periferikë në raport me atë që ka ndodhur realisht.
Duke analizuar situatën në Hungari, Salianji tha se kundërshtari i Orbán nuk ishte një figurë tradicionale politike.
Nuk ishte një grup apo një politikan klasik. Ishte një individ që ka qenë zyrtar, por jo një figurë e konsoliduar politike.
Sipas tij, rënia e Orbán lidhet edhe me probleme të brendshme, përfshirë korrupsionin dhe skandalet.
Rënia nisi kur u ekspozuan korrupsioni i rrethit të afërt dhe degradimi moral, si në rastin e një skandali me një zyrtar të dënuar për abuzim me të mitur.
Ai shtoi se këto zhvillime sollën reagime të forta institucionale dhe politike në Hungari. Në vijim, Salianji bëri një paralelizëm me Shqipërinë dhe debatet mbi mundësinë e rotacionit politik.
Edhe në kushte ku qeveria kontrollon mediat, ekonominë dhe drejtësinë, nëse opozita frymëzon qytetarët, ajo mund të fitojë. Forca e votës e tejkalon çdo deformim.
Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet se zgjedhjet manipulohen plotësisht.
Sondazhet nuk vidhen. Ato në Hungari dolën njësoj si rezultati final, dhe kjo ndodh edhe në Shqipëri.
Në fund, Salianji theksoi se opozita duhet të përballet me realitetin politik.
Opozita ka edhe këtë problem: shpesh nuk pranon realitetin.



