Me bindjen se protestat e ditëve të fundit janë të ngjashme me lëvizjen që përmbysi regjimin dictatorial të Enver Hoxhes, sh-ministri i Jashtëm dhe një nga figurat e njohura të Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, i cilëson tubimet brenda dhe jashtë si protesta të dinjitetit, duke argumentuar se ato përfaqësojnë një pakënaqësi të qartë ndaj qeverisjes.
Njerëzit nuk po grupohen rreth një partie politike apo një pushteti që nuk i përfaqëson, por rreth disa shqetësimeve të përbashkëta që shkojnë përtej bindjeve politike, në kërkim të një Shqipërie të re. Përgjatë viteve të tranzicionit kemi parë se si asetet më të çmuara të vendit janë dorëzuar nga lart tek një grusht njerëzish. Ky nuk është një zhvillim i natyrshëm i kapitalizmit. Por rezultat i një partneriteti të kalcifikuar mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.
Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar protestat, ndërsa thotë se brenda Partisë Socialiste tashmë nuk ka më liri.
Bushati flet për përqendrim të pushtetit dhe mungesë të llogaridhënies, duke theksuar se demokracia dobësohet kur shteti dhe pushteti fillojnë të shkrihen me njëri-tjetrin.
Një nga transformimet më të rrezikshme që ndodh në jetën politike nuk është kapja e shtetit nga një parti, udhëheqës apo një grup oligarkësh. Është momenti kur shteti fillon të përvetësojë logjikën e tyre dhe ato fillojnë të përvetësojnë logjikën e shtetit.
Ndërsa flet për premtime të pambajtura,Bushati i bën thirrje Partisë Socialiste për reflektim të thellë politik, duke argumentuar se forca që erdhi në pushtet me premtimin për të luftuar fenomenet e tranzicionit, duhet të analizojë arsyet e pakënaqësisë së sotme qytetare, teksa thekson nevojën për një të majtë të re.



