Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi të enjten është shprehur lidhur me zhvillimet e fundit për Teatrin Kombëtar që do të jetë në rend dite për shembjen në mbledhjen e radhës së Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se parat e pista të krimit duan të ndërtojnë kulla betoni në tokën e teatrit.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Vokshi thekson se Teatri Kombëtar është në rrezik më shumë se asnjëherë nga epidemia e vjedhjes, e grabitjes së pronës publike nga babëzia për të zhvatur gjithçka që ta jep në dorë pushteti i vjedhur dhe i blerë me paratë e krimit.
“Ky është një qark i mbyllur mes qeverisë dhe botës së krimit. Paratë e pista të krimit dhe korrupsionit që zgjedhin qeverinë, parlamentin, pushtetin lokal, kanë vënë në lëvizje vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që të investohen në kulla betoni në tokën e Teatrit dhe në pronën publike pas tij”, shkruan ajo.
Sipas saj, kësaj skeme kriminale do t’i shërbejë edhe vendimi i nesërm i Këshillit Bashkiak për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Ky është një vendin që e mbajnë sekret, sepse është një raport i manipuluar, siç ka mashtruar këto 20 vjet Edi Rama opinionin publik, duke na thënë se Teatri rrezikon të shembet. Teatri nuk u shemb as kur gënjeu Edi Rama, as kur ra tërmeti”, tha Vokshi.
Për ish-deputeten demokrate, rreziku i vetëm Teatrit Kombëtar i vjen nga babëzia e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt për të vjedhur.
“Bashkë me artistët dhe qytetarët do të jemi këtu për t’i bërë rezistencë kësaj hordhie që, në ikje e sipër po përpiqet të na vjedhë pasurinë kombëtare, të na shkatërrojë trashëgiminë kulturore me akte talebanësh dhe të na përdhosë identitetin tonë europian," citohet nga shënimi i saj.
Kujtojmë se Qeveria e ka transferuar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë, me anë të një vendimi të marrë më 8 maj dhe të botuar, në mënyrë të pazakontë, brenda të njejtës ditë ne Fletoren Zyrtare.
5 522 metra katrorë të godinës së teatrit dhe të oborrit të tij ishin deri tani në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Në vendimin e saj qeveria ka theksuar se toka duhet të përdoret për vetëm për ndërtimin e ndërtesës së re të teatrit, dhe Bashkia Tiranë nuk mund ta tjetërsojë, ndryshojë destinacion apo kalojë tokën palëve të treta.
Qeveria ka deklaruar se teatri do të ndërtohet me fondet e buxhetit, dhe për të do të përdoret projekti i arkitetit Bjarke Ingels.
Prishja e ndërtesës së teatrit kundërshtohet për më shumë se dy vjet nga qytetarë dhe artistë. Falë këmbënguljes së tyre, ndërtesa e teatrit u përfshi në listën e 7 siteve të mbrojtura nga organizata Europa Nostra, fakt që u pranua edhe nga Komisioni Europian.



