Deputeti socialist Toni Gogu, nisjen e takimeve të Kryeministrit Edi Rama në rrethe 7 muaj para zgjedhjeve lokale, e cilëson si vijim të aleancës me qytetarët.
Në një lidhje me studion e lajmeve të MCN Tv, ai tha se ndodhemi në kushtet e një lufte që ka dhënë efektet në ekonominë globale, ku rritja e çmimeve në xhepat tanë është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj lufte dhe për Kryeministrin Rama është e rëndësishme të ulet me qytetarët dhe të tregojë gatishmërinë e mbështetjes ndaj tyre.
Ai e cilësoi si vazhdim të mbështetjes sa i takon energjisë, mburojës sociale dhe mbajtjen ndezur të motorëve të ekonomisë shqiptare.
Sipas tij, bashkëbisedimi i nisur që në fillim të vitit dhe mbajtja e fjalës se “ne qeverisim me qytetarët”.
Lidhur me takimet që Rama ka pasur me kryebashkiakët, ku është folur për bashki që mund të kenë administrator për shkak të falimentit, pasi kanë probleme të mëdha me ujësjellësat, Gogu tha se nuk është në dijeni të falimentimit të ndonjë bashkie për shkak të ujësjellësave.
Ka probleme të trashëguara, për shkak të keqqeverisjes. Bashki të caktuara jo vetëm i kanë shlyer detyrimet, por jemi në situatë të tejkaluar, patjetër që ka vështirësi në disa nga ujësjellësat, por nuk çojnë në falimentimin e bashkive.
Kryeministria dhe Kryesia e PS, janë për të mbështetur ata kryetarë bashkie që kanë qenë 24 orë në 24 në shërbim dhe për të reaguar edhe për kryetarët që i kanë marrë gjërat të mirëqena.
Sa i takon kritikave ndaj Bashkisë së Vlorës, ai tha se është deputet i qarkut të Tiranës dhe është përpjekur të merret me problemet “brenda shtëpisë”.
Probleme ka patjetër por jemi vazhdimisht optimist se Tirana do jetë lokomotiva e fitores së Partisë Socialiste, nuk e kam shumë idenë ç’po ndodh në Vlorë.
Por kryetarët e bashkive janë përballur me sfida dhe stres-test, nga pandemia, kriza. Disa kryebashkiakë ja kanë dalë dhe disa jo.
Pyetjes se Ilir Meta ka deklaruar i sigurt fitoren në bashkinë e Tiranës, Elbasanit e Durrësit, nëse PS i ka konfirmuar kandidatët aktual, deputeti Gogu kërkoi që të bëhet durim deri sa të formalizohet.
Ndërsa për Tiranën, deklaroi se Erion Veliaj është në krye të punëve dhe një mandati transformues për kryeqytetin.
Jam i bindur se zoti Vliaj do të vazhdojë kryerjen e punëve të mira. Sa i takon deklaratave të zotit Meta, jam i sigurt që ka filluar betejat për ta shndërruar ish-LSI në Partin e Lirisë dhe për të menaxhuar ndryshmin thelbësor.
Tashmë janë në përpjekje për të mbështetur përpjekjen e lirisë së non gratave. Është përpjekje titanike që zoti Meta duhet të japë. Mund t’ia dalë që të transformojë të djathtën shqiptare, ndërkohë që ne kemi hallet e qytetarëve.
Mbi zërat kundër rikandidimit të Veliajt, cituar këtu Ervin Bushatin, u ndal tek kryebashkiaku i Tiranës, duke thënë se Erion Veliaj, po bën një punë pa u ndalur.
Mund ta dëgjoni këtë dhe nga kundërshtarët, drejtuesit e aleancës së rublave, që thonë që punon. Pastaj dalin me broçkulla. Kur një njeri ka energji për ti dhënë qytetit nuk ke çfarë thua, ne pamë se si brenda një viti
Tirana u bë kryeqyteti i rinisë, më tej u bë i sportit, pse të mos vazhdojmë të jemi dinamoja e gjithë rajonit. Partia Socialiste, është forumi i mendimit, kolegë shokë të caktuar janë të lirë të kenë mendimet e tyre.
Për mua zoti Veliaj vazhdon dhe duhet të vazhdojë të drejtojë qytetin me shumë shpejtësi siç e ka nisur, drejt integrimit europian të Tiranës dhe Shqipërisë.
Motoja që po futemi në fushatë është me kurajo për të mbrojtur qytetarët nga inflacioni i luftës, për të mbrojtur të pamundurit, sipërmarrësit dhe ekonominë shqiptare.
Do ishte shumë mirë të kishim përballë alternativa, po fatkeqësisht po shohim që ende kundërshtarët tanë janë të zënë me problematika të caktuara.



