Deputeti Edi Paloka, një ndër përkrahësit e hapur të ish-Kryeministrit Sali Berisha, i kthen përgjigje ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila drejtoi disa pyetje për kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”, në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Paloka thotë se ambasadorja po dëmton imazhin e SHBA me qëndrimin e saj.
“Pra sipas jush zonja ambasadore, shqiptarët duhet të votojnë kandidatët e këtyre…?!! Këta shqiptarët i njohin mirë po dhe ju zonjë, sikur vetëm skandalin e fundit të inceneratorëve të kishit ndjekur, do e dinit po aq mirë se kush janë të korruptuarit e kryekorruptuarit në këtë vend. Vërtetë nuk e kuptoni se kështu nuk po bëni gjë tjetër, veçse po dëmtoni imazhin e vendit që përfaqësoni përpara një populli që atë vend e adhuron pikërisht për vlerat dhe parimet që përfaqëson e jo vetëm për historinë që na lidh?!”, shkruan Paloka.
Ai i kujton ambasadores amerikane se dikur ka thënë se ka nga ata që përpiqen të prishin marrëdhëniet midis SHBA dhe shqiptarëve.
Paloka shton se, askush më shumë se ambasadorja nuk po përpiqet ta bëjë një gjë të tillë duke u vënë në krah të një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar si më të korruptuarën në rajon.
Ky reagim vjen pasi më herët Kim drejtoi pyetje për kandidatët e zgjedhjeve të pjesshme më 6 mars, ku pyeti se nëse sponsori i tyre kryesor është dikush i etiketuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po u premtohet votuesve?
“Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?”, shkroi ambasadorja në Twitter.



