
22 Marsi i përkujton ditën e fitores së zgjedhjeve të para nga Partia Demokratike, pas rënies së komunizmit. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë fjalës së tij, nënvizoi se kjo ditë e shpresës, ditë e fitores, kthehet sot në një frymëzim dhe angazhim të ri për ti dhënë gjithçka që kemi Shqipërisë për ta bërë një vend më të mirë.
Basha u shpreh se PD ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe se ka afruar vendin me Bashkimin Europian, ndërkohë që ky proces sipas kreut të PD-së ka ngecur në vend për shkak të keqqeverisjes.
Basha po ashtu nënvizoi gjatë takimit se ato duhet të bëhen bashkë të gjithë për një mision të vetëm: ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe që e mban peng. Kryetari i PD-së shtoi me tej ato do ta bëjmë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve, anëtarësimin e vendit në BE.
“Fitorja e parë e zgjedhjeve nga Partia Demokratike, është një ditë domethënëse jo vetëm për ne demokratët, po për të gjithë shqiptarët. Ajo ishte ora e ndarjes përfundimtare me diktaturën dhe fillimi i një procesi të ri. 22 Marsi, kjo ditë e shpresës, ditë e fitores, kthehet sot në një frymëzim dhe angazhim të ri për ne që të japim gjithçka që kemi për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë.Ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Ne e afruam vendin edhe më shumë me Bashkimin Europian ku sot për fat të keq e shohim që ky proces ka 8 vite që ka ngecuar në vend për shkak të keqqeverisjes. Sot ne bashkohemi të gjithë me një mision të vetëm: ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe që e mban peng. Ju që jeni sot në këtë takim, jeni dëshmi e gjallë dhe dëshirës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, askush nuk na e mësoi, askush nuk j’ua mësoi shprehjen; “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Sot në këtë takim me pjesëmarrjen tuaj, në sytë tuaj, unë dhe çdo shqiptar lexojmë shpresën dhe dëshirën që t’i afrohemi sa më shumë dhe sa më shpejtë Europës. Ky është angazhimi ynë, ky është angazhimi im dhe të gjithë së bashku do t’ia dalim”, u shpreh Basha.



