
Parlamenti po shqyrton sot ligjin për lojërat e fatit. Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, tha se ligji i ri ishte domosdoshmëri, për shkak të shkeljes hapur të ligjit të deritanishëm. Braçe tha se përtej mbylljes së lojërave të fatit, kompanitë do të hetohen për detyrimet e pashlyera ndaj shtetit.
“Ligji që është sot në fuqi është shkelur në mënyrë brutale në të paktën 20 e kusur nene. Janë nene që mbronin familjet, adoleshentët e fëmijët. Janë nene që vinin kufizime për reklamën agresive që synonte nxitjen e lojës dhe zhvatjen e atyre që hynin atje. Këto nene i kanë shkelur me këmbë. Nuk duhet thjesht mbyllja e tyre, por edhe hetimi pasuror i kompanive, për të provuar se kanë shlyer detyrimet ligjore. Gjithçka nuk mbyllet sot, por do të kërkohet angazhimi për zerimin e çdo detyrimi që kompanitë kanë pasur dhe i mbeten pa shlyer.
Braçe tha se gjatë hartimit të ligjit të ri ka marrë kërcënime.
“Unë dhe kolegët e Komisionit të Ekonomisë i kemi dëgjuar të gjithë. Ti dhe ju po i hiqni bukën fëmijëve të mi, dhe ne do merremi me fëmijët tuaj. Mesazhi standart i dërguar në telefon. Kam një përgjigje për atë dhe ata: Kush nga ju mendon se ne jemi të dobët, po bën gabimin e jetës. Nuk e bëni dot atë ligj, nuk do e votoni dot. Ja do ta shihni. Ata që mungojnë sot këtu kanë një përgjegjësi të madhe për hapjen e lojërave të fatit. Ne nuk tërhiqemi nga betejat tona. E bëmë ligjin, do e votojmë sot,” tha Braçe.



