
Manjola Nikollo, ish-kryetarja e Partisë Demokratike në Sarandë është emëruar si nënkryetare e bashkisë së qytetit bregdetar.
Nikollo, ish-kryetare e degës së PD-së, ka pranuar propozimin e bërë disa muaj më parë nga kryetari i Bashkisë, Oltion Çaçi, për të marrë postin e nënkryetares së Bashkisë Sarandë.
Emërimi i saj vjen në vazhdën e kalimeve të disa përfaqësuesve nga radhët e demokratëve drejt atyre të Partisë Socialiste.
Në janar të këtij viti, Jolio Dine, ish-kryetar i Forumit Rinor të PD-së dhe dy herë kandidat për deputet, pranoi të bëhej drejtor i Shërbimeve Publike në të njëjtën bashki.
Dy ish-figura qendrore të opozitës lokale që sot janë pjesë e administratës së drejtuar nga e majta, përbëjnë një sinjal shqetësues për pluralizmin në Sarandë.
Ky fenomen konsiderohet si “kapje të opozitës”, ku përmes ofertave për poste, pushteti arrin të zbusë çdo zë kundërshtie.
Kjo praktikë, ndonëse e vjetër në politikën shqiptare, po kthehet në një rrezik real për jetën demokratike të Sarandës.
Në një qytet që përballet me probleme të thella infrastrukturore, urbanistike dhe mjedisore, mungesa e opozitës reale nënkupton mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë.



