
Të rinjtë e FRPD dhe LRI, protestuan përsëri edhe këtë të martë para Ministrisë së Punëve të Brendshme për të kërkuar largimin e kreut të saj Fatmir Xhafaj.
Protesta e radhës e të rinjte të dy forcave politike opozitare ishte më i zgjeruar, pasi në “shënjestër”, u vunë shumë figura të mazhorancës ku në krye ishte kryeministri Edi Rama, që sipas tyre janë përgjegjësit kryesorë se pse shqiptarët janë ende një popull i varfër.
Ata vendosën para Ministrisë së Brendshme disa valixhe, pasi mesazhi i tyre është i qartë: Nuk janë shqiptarët që duhet të lënë vendin, por politikanët, të cilët valixhet tashmë i kanë gati!
“Të çojmë Ramën Xhafën e Tahirin me shpurën e rilindjes në emigrim e të rrimë 2 milionë shqiptarë në vendin tonë”, shprehen ata.
Protestat e përditshme nisën pas shpëethimit të një skandali me Agron Xhafën vëllain e ministrit të Brendshëm, i cili është i dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge, vendim i dhënë që në vitin 2012, kohë prej së cilës, Agron Xhafaj, deri në momentin e publikimit të skandalit nga Partia Demokratike, e ka kaluar në liri në Shqipëri.
Tashmë ai i është vetëdorëzuar autoriteteve italiane. Ndërsa audio-përgjimi që PD publikoi dhe pretendon se është zëri i Agron Xhafës në telefonatë me Albert Veliun, ish-i dënuar për drogë, është dërguar për ekspertizë.



