
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka përfunduar dëshminë e tij para prokurorëve Elio Mazreku dhe Elisabeta Imeraj, kjo e fundit drejtuese e Prokurorisë së kryeqytetit.
Përreth tri orë, Bardhi ka dhënë shpjegime për gjithçka ka ndodhur brenda PD-së teksa mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha sulmonin selinë e PD.
Ai theksoi se brenda selisë së PD-së nuk është gjendur asnjë send i paligjshëm ndërsa u shpreh se ka sqaruar në prokurori se policia ka ndërhyrë 40 minuta me vonesë.
Kërkoj zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve. Një grusht njerëzish me në krye Berishën sulmuan PD-në. Autorët as nuk fshihen, as nuk zverdhen, Berisha ka marrë përgjegjësinë e këtij akti të dhunshëm dhe disa individë të përfshirë, që janë vetë identifikuar. Të vendosen para përgjegjësisë penale autorët e aktit të paprecedentë. Më 8 janar kam informuar prokurorinë se policia në numrin e kontaktit të vendosur zyrtarisht nga policia u njoftua në 12 e 27 minuta. 40 minuta me vonesë. Kam dhënë shpjegime të plota për çështjet që janë përdorur dhe kam rikonfirmuar se e vetmja lëndë rrethanore e gjendur brenda PD-së kanë qenë fikset e zjarrit. S’ka pasur asnjë sulm nga brenda selisë së PD.



