
I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, ka thënë se nuk ka të ardhme evropiane për Kosovën dhe Serbinë pa zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.
Lajcak ka thënë se bashkë me emisarët e tjerë perëndimorë kanë udhëtuar për diskutime të rëndësishme dhe substanciale me Kurtin dhe Vuçiçin.
Sllovaku ka thënë se në këto takime kanë theksuar që ngjarja e sulmit të Banjskës më 24 shtator duhet të hetohet plotësisht dhe që de-eskalimi dhe normalizimi janë nevoja urgjente.
Miroslav Lajcak ka thënë se presin nga Kosova dhe Serbia që të implementojnë plotësisht obligimet e Dialogut.
Udhëtuam me Plotner, Escobar, Bone dhe Cattaneo për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbise.
Ne theksuam se 24/9 [sulmi i Banjskës] duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm.
Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut.
Top-diplomati sllovak, e dënoj serish sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjë të Zveçanit.
“Të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë nga Serbia”, shtoi.
Ai po ashtu ka kujtuar se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.
Lajçak njoftoi se dialogu Kosovë-Serbi do të jetë temë e diskutimit në takimin e krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën, si dhe se do të diskutohet më vonë në Këshillin e BE-së.
Tutje, ai shtoi se bisedimet ndërmjet përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë me Kurtin e Vuçiç-in do të vazhdojnë ditëve në vijim.



