
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, premton rritjen e pagës minimale, kur të vijë në pushtet. Gjatë Kongresit të 7-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Basha tha se paga minimale do të rritet në 300 euro brenda 6 muajve të parë. Sipas Bashës, deri në fund të mandatit qeverisës, paga minimale do të rritet në 400 euro.
“Askush prej jush këtu dhe mijëra punëmarrës nuk duhet të ketë asnjë dyshim: PD është një parti me besim te te ekonomia sociale e tregut, te arsimimi e shëndeti, ndaj dua që sot ta them qartë përkushtimin tonë të parë, deklaroj para kësaj asambleje vendimin e PD-së për të kaluar brenda 6 mujorit të parë masën e pagës minimale 300 euro dhe brenda 4 viteve të para në 400 euro për t’i shërbyer dinjitetit të punëmarrësve pa të cilët nuk ka mirëqenie”, tha Basha.
Numri një i Partisë Demokratike u ndal më tej te numri i aksidenteve në punë, që sipas tij ka shënuar rritje. Basha tha se pas mungesës së kushteve dhe pandëshkueshmërisë qëndron korrupsioni.
“Vetëm në 6 muajt e fundit, media ka raportuar 25 familjarë që kanë humbur jetën nga aksidentetet në punë, numri i përgjegjësve zero, masa të marra zero. Babëzia shpërfillja e zhvesh njeriu nga vlerat më njerëzore. Numri i aksidenteve në punë është më i lartë se sa raportohen në media. Problemi kryesor i mungesës së kushteve, problemi i pandëshkueshmërisë, i mosinvestimit në kushtet e sigurisë është korrupsioni. Skema e përfitimit të përbashkët, nuk ka shembull më tragjik se kjo se humbja e jetës së 25 familjarëve në vetëm 6 muaj”, u shpreh Basha.



