Gazetari investigativ Artan Hoxha ka folur në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV lidhur me materialin e njohur si “200 mijëshi”, që lidhet me procesin gjyqësor ndaj Ilir Meta.
Hoxha deklaroi se materiali ishte publikuar prej tij që më herët dhe se në vitin 2016, ndër personat që kishin dijeni për publikimin e tij ishte edhe Lulzim Basha.
Sipas gazetarit, mesazhi audio ishte regjistruar dy ditë para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe ishte pjesë e dosjes së parë hetimore.
Mesazhi është lëshuar më 22 qershor 2009 dhe aty nuk përmendet emër. Thuhej: ‘Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër, më duhen 200 mijë patjetër.
Ai shtoi se, sipas procedurës, njësia që kryente përgjimin duhej ta ndërpriste atë në momentin që konstatohej përfshirja e një politikani në komunikim.
Gazetari deklaroi se çështja ishte mbyllur fillimisht, ndërsa më pas ishte rihapur, moment në të cilin ishte bërë publik edhe materiali i përgjimit.
Mua më thirrën në prokurori dhe më pyetën se ku e kisha gjetur materialin. Aty mësova se ai konsiderohej juridikisht i papërdorshëm, pasi gjykata kishte vendosur që kjo pjesë e dosjes të asgjësohej dhe të mos përdorej më si provë.
Sipas Hoxhës, materiali ishte asgjësuar pas mbylljes së dosjes, ndërsa pikëpyetja që ngre sot lidhet me mënyrën se si ai u rikthye në qarkullim vite më vonë.
Habia ime është fakti që e njëjta gjë që ishte asgjësuar me vendim gjykate u rikthye dhe u riciklua pas vitit 2016. Çfarë ka ndodhur realisht, këtë e di vetëm drejtësia.



