
Anëtarët e Kuvendit rikthehen sot në punë me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Punimet do të hapen me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila do të shqyrtojë dhe miratojë kalendarin dhe programin e punës për pesë javët në vijim.
Në orën 17:00, deputetët do të mblidhen në seancë plenare, ku parashikohet hapja zyrtare e punimeve të Sesioni II të Legjislaturës XI, miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.12.2025, si dhe njoftime të ndryshme.
Po ashtu, shërbimet e Kuvendit do të ngarkohen me publikimin e rendit të ditës së seancës plenare, njoftimin e deputetëve përmes mjeteve të komunikimit elektronik dhe shpërndarjen e dokumentacionit parlamentar për shqyrtim.
Dy nga reformat më të rëndësishme, për të cilat diskutimet kanë nisur që në seancat e mëparshme, janë reforma zgjedhore dhe reforma territoriale. Sipas planit, këto reforma duhet të përfundojnë brenda muajit korrik të këtij viti, në mënyrë që viti 2027 ta gjejë vendin me një Kod Zgjedhor dhe hartë territoriale të re.




