
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar sot me akuza të rënda kundrejt kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, lidhur me çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, ku një thirrje ia ka bërë edhe Kongresit amerikan dhe vetë byrosë amerikane, që të hetojë kreun e Qeverisë dhe diplomaten amerikane.
Sipas Berishës, çështja McGonigal nuk përfshin vetëm këtë të fundit, pavarësisht se ai akuzohet në mënyrë direkte për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, për falsifikim dokumentesh dhe deklarime të rreme, si edhe përflitet për takime me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Të gjitha rrethanat, për kreun e demokratëve, shpien drejtpërdrejt te Rama dhe Kim, të cilët sipas tij, krijuan një skemë për asgjësimin e opozitës në vend.
Po ndalem te skandali i fundit! U faktua se Edi Rama, i biri i xhelatit që vari kundërshtarin politik, poetin disident, kontraktoi vrasës me pagesë: kryezbuluesin e institucionit më kryesor në SHBA, një tradhtar i vendit të tij.
Me grupin e tij, i paguar nga Edi Rama, shpallte në televizionet shqiptare, Sali Berishën si kukull të Putinit. Gjithçka për narrativën e shkatërrimit të opozitës.
Çështja McGonigal është një çështje shumë e thellë dhe ne do ia themi shqiptarëve.
Çështja nuk përfshin vetëm McGonigal. Sot në botë ushtojnë skemat e tij e gjobëvënies. Po kush mori pjesë në këtë skemë? Unë i bëj thirrje Kongresit dhe FBI të hetojë rolin e Edi Ramës dhe Yuri Kim në këtë gjobëvënie.
Edi Rama u thoshte të tjerëve se zoti Escobar më ka dorëzuar listën e biznesmenëve që do sanksionohen. Kjo është e vërteta.
Yuri Kim thërriste një e nga një biznesmenët në zyrë, pse financoni Foltoren se do sanksionoheni. A ishte kjo një skemë që të shkonin dhe të paguanin te Mark Rossini dhe McGonigal gjobat?
Çfarë ishte kjo skemë?
Pra, kjo ishte një skemë në të cilën Edi Rama po fuste në dorë, në skllavërim të plotë, biznesmenët me lista, kësaj radhe të dorëzuara nga Lulzim Basha. Po!
Po të mos ishte skema McGonigal, nuk kisha të drejtë të bëja asnjë lidhje para jush këtu. Por duhet të jesh naiv të mos bësh këtë lidhje. Prandaj i bëj thirrje Kongresit të SHBA, FBI, Departamentit të Shtetit të hetojë.
A ju kujtohet kur në televizionet shqiptare flisnin për 150 të sanksionuar? Çfarë ishte kjo? Bëhuni klientë të McGonigal, përndryshe jeni të sanksionuar.



