
Sot në Bruksel zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh.
Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Të dy palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, ndërkaq zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen disa çështje me interes dy palësh.
Më vonë, nëse do të ketë gatishmëri të palëve, do të ketë edhe takim të përbashkët trepalësh.
Sipas burimeve të mediave nga Kosova, nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Bashkimi Evropian do të përsërisë sot thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizim it të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalur nga procesi i dialogut”.
Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.
As aty nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të dakorduar nga palët në vitin 2023.



