Kryeministri Edi Rama theksoi edhe njëherë sot se dialogu Kosovë-Serbi duhet të ngrihet në nivelin e një Konference, ku të jenë pjesëmarrës Macron dhe Scholz.
Rama tha se formati i derisotshëm i Brukselit s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re.
Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal aq edhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave dhe parimeve të BE që nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim me zë të lartë. Prandaj nëse kohë përpara këtyre zhvillimeve kaq dramatike e kam thënë dhe e kam kërkuar disa herë publikisht, zyrtarisht në instancat më të larta të komunitetit euroatlantik se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në nivelin e një konferencë të normalizimit me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve të pandërprera. Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog, duhej ngritur dhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë në nivelin e Presidentit dhe të Kancelarit, si bashkëautore të këtij plani. Sot besoj që është e qartë për të gjithë, që minimalisht formati i derisotëm i Brukselit, ku “venë e vijnë” dy burra nga këtej dhe “hyjnë e dalin” dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë.



