
Procedohet penalisht kandidati i PD-së, Xhelal Mziu pas deklaratës që bëri ditën e djeshme në Dibër, ku pohonte se kush tenton të blejë votën do përfundojë si rasti në Elbasan.
Lidhur me rastin Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër kanë filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të XHelal Mziut, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.
Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, Mziu, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezent ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryjnë veprime duke cenuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.



