
Mbrojtja e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në ditën e tretë të gjykimit në Gjykatën Speciale, ka mbrojtur Krasniqin rreth dokumenteve dhe komunikatave që i janë gjetur atij në shtëpi nga hetuesit.
Sipas avokates, Jakup Krasniqi nuk do të duhej të akuzohej fare nga Gjykata Speciale dhe se sipas saj ZPS, ka dështuar në përpjekjen e saj të jap argumente për fajësinë e tij.
Kam besim që gjatë gjithë këtij gjykimi ju do të shihni si prokuroria ka dështuar në mënyrë të dukshme në përpjekjen e saj për të provuar çështjen kundër Krasniqit, do të shikoni po ashtu se ai nuk do duhej të akuzohej fare.
Avokatja u shpreh se Krasniqi gjatë kohës sa shërbente si zëdhënës i UÇK-së, nuk e ka përdorur asnjë pseudonim, dhe se gjithçka ka qenë publike në lidhje me të dhe deklaratat që ai ka dhënë.
Tutje, ajo i përmendi rastet kur Krasniqi kishte dëshmuar për çështjen e Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe në disa çështje të vitit 2018.
Atë kohë, sipas avokates Krasniqi nuk ishte dyshuar për ndonjë krim, kurse tash krimi themelor i çështjes ndaj tij ka të bëjë me ato krime ku ai nuk ishte i dyshuar.
Ajo e kritikoi Gjykatën Speciale, edhe për mënyrën e arrestimit dhe bastisjes së shtëpisë së tij. Sipas saj Krasniqi ka qenë vazhdimisht bashkëpunues me gjykatën dhe se nuk ka pasur nevojë të arrestohej në atë mënyrë.
Avokatja e Krasniqit ka thënë se ai ka pasur rol të zëdhënësit të UÇK-së dhe se nuk ishte përgjegjës për funksionet në çështjet operacionale ushtarake.
Ndër të tjera ajo ka thënë aktakuza e prokurorisë se Krasniqi ishte komandant me kontroll efektiv bie poshtë.
Po ashtu, ajo ka thënë se Krasniqi ishte vetëm zëdhënës i UÇK-së, dhe se ai nuk është përfshirë në çështje operacionale.
Gabimi i parë që ka bërë prokuroria, është se ka keqkuptuar apo qëllimisht e keqpërfaqëson rolin personal të Krasniqit. Në qershor 1998, Krasniqi u emërua si zëdhënës, ai nuk kishte asnjë rol të caktuar para asaj kohe, ashtu siç nuk kishte shtab të përgjithshëm atë kohë. E dimë çfarë roli ka zëdhënësi, ai nuk përfshihet në çështje operacionale, ai ka të bëjë me marrëdhënie me publikun.
Mbrojtja foli edhe te argumenti i dokumenteve të gjetur në shtëpinë e Krasniqit.
Nëse dokumentet janë gjetur te Krasniqi kjo nuk vërteton se Krasniqi është autor i këtyre dokumenteve. Gjetja e këtyre dokumenteve nuk i bën ato autentike po ashtu.
Krasniqi është shkrimtar dhe historian. Ai mbledh materiale për librat e tij të shumta. Ai ka mbledhur dhe ka koleksion të dokumenteve.
I takon prokurorisë të hetojë kur janë shkruar ato dokumente dhe për çfarë qëllimi”.



