Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu duke folur në MCN Live i konsideroi si anti-kushtetuese deklaratat e Ramës për mos bashkëpunim me kryebashkiakët e opozitës.
Mediu thekson se retorika është e papranueshme dhe cilësimet stigmatizuese krijojnë ndarje të shoqërisë.
Ajo që më bën të ndihem mirë është interesi i të rinjve për të folur për çështje konkrete. Ka një uri të shoqërisë shqiptare për të folur rreth ideve. Ajo që bën të ndihem keq është që kjo fushatë është banalizuar, dhe ka mbetur në një retorikë të vjetër e cila nuk inspiron shumë, por flas në nivelin e lart politik. Në nivelin konkret, dua të vlerësoj të gjithë angazhimin e kandidatëve për të folur për çështje dhe ide konkrete. Do shpresoja të kishin më shumë hapësirë këto debate që qytetarët të dinin të vlerësonin se cili është administratori më i mirë. Rreziku i kësaj fushate është deligjitimimi i pushtetit lokal. Sepse me këtë fushatë Rama e ka parë pushtetin lokal si zgjatim të pushtetit të tij ekzekutiv, njësoj si në kohët e vjetra. Kudo në Shqipëri ke postera të Ramës, pak ka angazhim të kandidatëve për kryetar bashkie. Biles po t’i dëgjosh kandidatët, thonë ‘unë me Edi Ramën do bëj këtë’. Edhe spotet elektorale. Kryetarja e bashkisë së Tiranës dhe Durrësit thonë ‘unë me Edi Ramën do bëjë këtë’. Ti nuk je zgjedhur atje për të qenë vartës i kryeministrit. Pavarësia e pushtetit lokal ka vlerë të jashtëzakonshme. Ti ke detyrën për të administruar taksat, të bësh infrastrukturën arsimore, rrugore, ambientin. Ajo që ka kaluar limitin është thirrja anti-kushtetuese dhe anti-ligjore e kryeministrit që thotë s’do bashkëpunoj me asnjë kryetar bashkie të opozitës. Retorika e përdorur është e papranueshme. Cilësimi si njerëz të paaftë, të pavlerë, faqezi, etj., nga të gjitha anët po të vijë është e papranueshme. Kjo lë raporte të këqija që krijon ndarje të shoqërisë. Në pushtetin lokal s’ka pse të ketë ndarje, sepse janë interesat jetike të qytetarëve”.
Mediu thekson se askush nuk duhet të mendojë që Rama mund të lëshojë pushtet.
Kryetari i PR ka renditur disa nga problematikat në zgjedhje nga patronazhimi te grupet kriminale, që sipas tij janë të gatshme të përdoren në zonat ku PS ndihet dobët.
Që politika është bërë pazar, sidomos vitet e fundit është e qartë. Këto kanë lënë mënjanë debatin e ideve dhe racionalitetin politik. Askush të mos gabojë që Edi Rama mund të lëshojë, Edi Rama vetëm do të marrë. Shkodra ka një diferencë të qartë votash. Kjo po përpiqet të minimizohet me një kandidat që shfaqet pa parti, projekte 3D, që janë gënjeshtra elektorale që hidhen për konsum. Ka një injorim të Shkodrës në gjithë këto vite. Spahia e ka thënë fare qartë që unë kam pasur projektet, por s’ka dashur qeveria të bashkëpunojë. Problemi më i madh që ka Shkodra është braktisja nga të rinjtë. Janë mbi 800 mijë shqiptarë që largohen, dhe pse largohen, sepse nuk kanë shpresë. Është një sistem kontrolli dhe intimidimi i krijuar nga PS përmes patronazhistit, përdorimi i administratës, njësimi i politikës me shtetin, intimidimi i votuesve, marrja e kartave të identitetit dhe e fundit, lozin me varfërinë, duke arritur te e fundit që është mos lejimi për të votuar përmes grupeve kriminale. Të gjitha këto metoda janë të gatshme që të përdoren kudo ku PS ndihet e dobët. Edi Rama nuk lëshon asgjë. Për mua Edi Rama ka arritur në përfundimin që kostumi i kryeministrit i rri ngushtë”.



