Nënkryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, ka deklaruar se vazhdimi i mbajtjes në burg nga autoritetet shqiptare të Fredi Belerit është një veprim “thellësisht anti-europian”, raporton “Ekathemerini”.
Ai vë në dukje se ky vendim “rrezikon të bëhet një pengesë për aspiratat evropiane të popullit shqiptar" në rrugën e anëtarësimit në BE.
Në video-mesazhin e transmetuar dje gjatë protestës së organizuar nga organizata “Omonia” në Himarë, kërkohet lirimi i menjëhershëm i Belerit, i cili u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës më 14 maj.
Schinas tha se “mënyra evropiane e jetës ka të bëjë me demokracinë, drejtësinë, lirinë për të votuar, dhe për t'u zgjedhur. Ky është themeli për të gjithë ata që duan të bëhen anëtarë të familjes sonë të madhe evropiane. Dhe Shqipëria nuk mund të jetë një përjashtim nga kjo.”
Kujtojmë që Beleri u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën akuzën e blerjes së votave.



