
Është shkarkuar sot nga detyra nëndrejtori i Inspektoriatit të Shëndetit Publik në Tiranë.
Largimin e bëri publik Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, njëherësh kordionatore e task-forcës antikorrupsion. Ajo tha se shkarkimi, erdhi pas shkeljeve ligjore të cilat janë identifikuar në prokurorimin e tenderit për dezinfektimin e zonave bredetare dhe urbane. Sipas saj nuk janë përdorur të njëjtat kritere për vlerësimin e ofertuesve:
“Strukturat antikorrupsion kanë verifikuar në ISHP Tiranë zbatimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura gjatë procesit të prokurorimit të një shërbimi shumë të rëndësishëm siç është dezinfektimi në zonat bregdetare dhe urbane për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. U konstatuan disa shkelje të ligjit për prokurimin publik veçanërisht në kuadër të procesit për vlerësimin e ofertave sikundër dhe në fazën e shqyrtimit të ankesave. Nuk janë përdorur të njëjtat kritere për vlerësimin e ofertuesve”, tha ministrja Gjonaj.
Ministrja konfirmoi se janë marrë tetë masa disiplinore, përkatsisht janë larguar nga puna anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, konkretisht nëndrejtori i ISHP, përgjegjësi i sektorit të sëmundjeve infektive, si dhe mjeku në sektorin e sëmundjeve infektive.
Po kështu janë rekomanduar masat vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për anëtarët e komisionit të shqyrtimit të ankesave për procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomikë, konkretisht përgjegjësin e departamentit të informimit shëndetësor tekonologjisë dhe komunikacionit, dy specialistë si dhe vërejtje për përgjegjësin e laboratorit dhe specialistin entomolog.



