
Zyrtarët e KQZ-së në Kosovë tashmë e kanë filluar procesin e shqyrtimit dhe vlerësimit të zarfeve me fletëvotime që kanë ardhur në Kosovë nga shteti i Serbisë. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ekspertë të forenzikës kanë hapur pas 10 ditëve dyert e sallës në Ministrinë e Infrastrukturës në të cilën janë të vendosura zarfet me fletëvotime të ardhura nga Serbia.
Por ky process tashmë po zhvillohet me masa të detajuara mbrojtëse. Me maskë, veshje të veçanta, dorëza e kapela, zyrtarët po e kryejnë procesin. Kjo pas alergjisë që disa zyrtarë të KQZ-së, morën ditë më parë teksa ishin duke u marrë me zarfet me vota të ardhura nga Serbia.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e ka konfirmuar për media se KQZ-ja ka nisë shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia.
“Ky vlerësim është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon. Pra, që ta dimë nëse fletëvotimi i dërguar është nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dimë saktë sesa është numri i fletëvotimeve të aprovuara apo të refuzuara. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen. Për këtë proces ne jemi në kontakt dhe bashkëpunim me institucionet tjera. Kemi edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës lidhur me këtë. Pra, edhe në pajisje logjistike”, deklaron Elezi.



