
Kryeministri Edi Rama në konferencën për media në krah të Presidentit francez Emanuel Macron theksoi se Shqipëria do të bëjë çmos që të jetë Europa e Ballkanit në të gjitha aspektet.
Kryeministri i Shqipërisë tha se është shpresëplotë që Macron do të udhëheqë procesin në funksion të ribashkimit të Europës.
Prandaj unë jam shumë i lumtur sepse prania e Presidentit konfirmon besimin se rruga europiane e Shqipërisë dhe rritja e Shqipërisë në ambicien për tu bërë Europa e Ballkanit është e pakthyeshme. Dhe sot dua ta përsëris përpara presidentit që ne do përpiqemi në vijimësi që të mos jemi një nga gjashtë pjesët e Ballkanit që është europiane kur flet me Europën dhe ri bëhet ballkanike kur flet me pesë pjesët e tjera. Ne duam të jemi këtu në Ballkan referenca europiane e këtij komuniteti ballkanik dhe do vazhdojmë të investohemi për ta mishëruar Europën sepse në fund fare procesi i integrimit, procesi i zgjerimit, procesi i ribashkimit janë procese që kanë vlerë për sa kohë transformojnë vetveten.
Ky proces nuk është që ne të ikim diku. Ky proces është që Europa të vijë këtu, që qytetarët tanë të jetojnë këtu me standardet dhe me parimet e një vendi europian dhe zoti President, unë ju siguroj që ne do të bëjmë çmos dhe do t’ia dalim që çdo vit e më shumë të jemi Europa e Ballkanit në të gjitha aspektet. E di që është një sfidë jo e lehtë. Kemi akoma shumë për të bërë, por dua t’ju them se duke ardhur këtu njësoj si një rockstar kur shkon në një vend për herë të parë, motivon shumë fëmijë për t’i ngjarë sepse e shikojnë nga afër.
Ju motivoni Shqipërinë, motivoni shqiptarët për të vazhduar edhe më shumë përpjekjen për t’i ngjarë Francës, për t’i ngjarë Europës jo duke i imituar, por duke i brendësuar sepse ne s’mund të jemi kurrë Franca dhe s’kemi pse jemi Franca, por ne mund të jemi një vlerë e shtuar e Europës dhe një mik besnik i Francës, ku Franca të shohë jo thjeshtë një vend më të vogël që i përulet, por një aleat që në përmasën e vetë modeste i vlen në ditë të vështira dhe një mik që i vlen gjithmonë kur Franca ka nevojë për të qeshur pak më shumë sepse në fund fare procesi i integrimit është procesi më i mërzitshëm në botë. Ne nuk e kemi luksin që duke plotësuar këtë proces të mërzitshëm, të bëhemi të mërzitshëm dhe vetë.



