Kreu i PR, Fatmir Mediu, foli në MCN Live për Chris LaCivita-n, bashkëdrejtuesi i fushatës së fundit zgjedhore të Trump-it, që tanimë është këshilltari që marrë përsipër fushatën e PD për zgjedhjet politike të 11 majit. Mediu tha se janë të pavërteta lajmet që aludojnë për shuma marramendëse parash në lidhje me fushatën. Ai shton se pagesat do jenë sipas ligjit dhe rregullave të KQZ-së dhe do bëhen transparente.
“E para është e turpshme që një media e organizuar pranë Ramës përpiqet të denigrojë një nga figurat kryesore jo thjesht i fushatës së Trump-it, por pranë Presidentit Trump. Aq më tepër nxirren lajme të pavërteta, të gënjeshtërta, për shuma marramendëse parash. Diskutimi me LaCivitën është bërë për një kohë realtivisht jo të shkurtër që të merrej me fushatën dhe nuk është çështje financiare. Por faktet ngjajnë. Përdorimi i drejtësisë si armë politike në Shqipëri ka qenë më se evidente. Rama ka pasur një pozicion në raport me Presidentin Trump që s’është i panjohur për ta. Për më tepër administrata amerikane ka një politikë për të mbështetur lëvizjet konservatore në Europë. Pse në Shqipëri? S’ka ardhur këtu për të humbur, por për të fituar, për t’i dhënë mbështetje maksimale opozitës dhe z.Berisha, me bindjen që jemi në të drejtën tonë dhe Shqipëria ka nevojë për ndryshim”.
I pyetur a do të negociohet “non grata”, Mediu tha: “LaCivita ka ardhur për fushatën elektorale, s’bën lobing, por mendoj në ecurinë e gjërave, z.Berisha është në të drejtën e tij të bëjë lobing për të rikthyer dinjitetin e vet”.
I pyetur kur do bëhet transparente pagesa për LaCivita-n, Mediu tha: “Ka rregulla se kur bëhen transparente. Çdo gjë do jetë sipas ligjit të fushatave elektorale. Janë fonde që do deklarohen sipas rregullave në KQZ”.



