Gazetari Genc Burimi tha në MCN Live se raporti i PE-së për Shqipërinë nuk ishte "sui generis" për zgjedhjet, por raporti i radhës. Burimi thekson se i bëri përshtypje që raporti e vinte theksin te domosdoshmëria për një gjyqësor të pavarur në Shqipëri.
“Ky raport s’ishte sui generis për këto zgjedhje, ishte raporti i radhës. Është në vazhdën e mendimit që dhanë vëzhguesit pas zgjedhjeve, me vërejtje shumë madhore për procesin e zgjedhjeve, që ishin të pabarabarta. Raporti vinte theksin te domosdoshmëria për një gjyqësor të pavarur në Shqipëri, kjo më bëri përshtypje. Sot të vihet pikëpyetja te drejtësia, gjyqësori, ka një domethënie, se është ky gjyqësor që do japë viston për njohjen e zgjedhje. Kjo s’do ta trondisë Ramën, edhe sikur të dalë një raport i DASH-it. Kërcënimi i vetëm i Ramës është vetëm nëse do ngadalësohet procesi i integrimit”.
Burimi tha se vendimin në fund do ta marrë PE-ja në bazë të meritave. Ai vuri në dukje se sot zgjedhjet në Shqipëri po kontestohen jo vetëm nga Berisha, por edhe elementë të moderuar si Gazment Bardhi.
“Sigurisht që është aspekti gjeopolitik që primon, por PE duhet të votojë në fund fare vetëm në bazë të meritave dhe ata s’lënë asgjë të shpëtojë. Është pak e habitshme ajo fjalia në raport, që Shqipëria mund të kërcënohet nga influenca ruse. Nuk ka asnjë garanci as për 2030-ën, as për asgjë, mos ngatërrojmë objektivat me realitetin. Sot janë prishur me një element të ri që është kontestimi i zgjedhjeve. Në Shqipëri gjithmonë janë kontestuar zgjedhjet, por dallimi kësaj here s’është vetëm Berisha, është që është e gjithë PD-ja që i kontenston zgjedhjet. Gazment Bardhi është njohur si mbështetës i flaktë i SPAK-ut, dëgjojeni sot çfarë tha në Kuvend, që Task Forca u ngrit nga Dumani si alibi për të fshehur krimin zgjedhor. Edhe po të iki Berisha, edhe elementët më të moderuar janë të bindur që drejtësia është e kapur”.



