
Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që nga 1 janari të mundësojë lëvizjen e lirë e të gjitha veturave me targa RKS nga Kosova në tërë territorin e Serbisë.
Lajmi u bë i ditur nga Petar Petkoviç, drejtor i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, transmetojnë mediat në Kosovë.
Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Kosovë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje apo shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Petkoviç shtoi se në këtë mënyrë kanë mbrojtur të drejtat e serbëve në Kosovë duke mundësuar lirinë e lëvizjes.
Ai potencoi se targat nuk paraqesin asnjë simbol të shtetësisë dhe sovranitetit dhe në këtë kuptim theksoi se ka shembuj të shumtë në botë ku ka targa të ndryshme në një vend.



