Tre deputetë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut janë ndaluar në pikën kufitare të Qafë Thanës, teksa po tentonin të hynin në Shqipëri, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi, si dhe Hasim Murtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklarimeve të tyre, një ditë më parë ata po udhëtonin me pasaporta diplomatike dhe janë mbajtur për rreth një orë në pritje në pikën kufitare, pa marrë fillimisht një shpjegim për arsyen e ndalimit.
Për këtë situatë, zëvendëssekretari i përgjithshëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani tha për edicionin e lajmeve në MCN TV se, vizita e tyre nuk kishte lidhje me protestën që po mbahet në Tiranë.
Sipas tij, arsyetimi që iu dha ishte se personi i katërt që i shoqëronte, kishte një ndalesë të përkohshme për të hyrë në Shqipëri.
Dje ishim në udhëtim të përbashkët me dy deputetët e VLEN, do kalonim në Qafë Thanë, me destinacon Tiranë, për punët tona private politike. Përtej pasaportave diplomatike kemi hasur vonesë të paqartë. Pritëm rreth një orë dhe pas një ore dolëm nga makina dhe pyetëm policët pse po presim kaq gjatë.
Na thanë se ka një kontroll dhe paqartësi në identifikimin e dokumenteve. Më pas ka dalë një zyrtar se ju si përfaqësues zyrtar mund të vazhdoni udhëtimin, ndërsa personi tjetër nuk mund të vazhdojë, pasi ka ndalesë. Nuk ka qenë praktikë që me pasaporta diplomatike të presim kaq gjatë. Por na është thënë se iu desh kohë që të verifikonin të dhënat. Nuk jemi vonuar asnjë herë tjetër kaq shumë.
Na është dhënë sqarim se personi i katërt në fjalë ka ndalesë hyrjeje dhe nuk mund të vazhdojë udhëtimin me ne. Duke mos dashur ta lëmë vetëm, u kthyem bashkë për në Shkup. Ishim për një vizitë private, për punët tona zyrtare në Tiranë. Po keqpërdoret se kemi lidhje apo jo me protestën. Nuk kishim lidhje me protestën, as kemi ndikim me të.
Nuk ndërhyjmë në punët e Shqipërisë, se jemi përfaqësues të RMV, ndaj i hedh poshtë të gjitha pretendimet. Qëllimi i vizitës nuk ishte protesta. Punët e brendshme të Shqipërisë, janë të brendshme dhe as nuk përzihemi dhe as nuk ndërhyjmë në punët e saj.
Nuk bëhet fjalë për person me problematikë ligjore, por për një ndalesë të përkohshme, te kategoria më e lehtë, ndoshta dhe ndonjë gjobë. Nuk e kam idenë për kategorinë e ndalesës, por ju tha se ishte ndalesë e përkohshme.
Ka pasur raste që dhe për gjoba nuk është lejuar të kalohet kufiri. Kemi kërkuar transparencë për pjesën tonë dhe jemi përballur me argumentin se këtë verifikim e bëjmë gjithmonë. Kemi kërkuar vetëm arsyetimin e vonesës.



