Gjatë një deklarate për mediat, deputetja e PS, Klotilda Ferhati tha se kreu i KQZ i propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, Klement Zguri ka shkelur ligjin.
Klotilda Ferhati tha se KQZ mori vendimin për të mos i hequr mandatin kreut të bashkisë së Mallakastrës Agron Kapllanaj i cili vjen nga radhët e PD, në kuadër të ligjit të dekriminalizmit.
“Duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit, ne kërkojmë shkarkimin e kreut të KQZ Klement Zguri. Kreu i KQZ mbrojti Agron Kapllanaj, pasi kanë të njëjtat bindje politike. Sjellja e Zgurit tregon për njëanshmëri politike”- tha Ferhati.
Kujtojmë se anëtarët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë bashkuar votat, duke rrëzuar kërkesën e dy anëtarëve të PS-së, për t’i hequr mandatin kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Në kërkesën e PS thuhej se Kapllanajt, kryebashkiak i PD, duhet t’i hiqej mandati në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, pasi siaps tyre ishte dënuar për vjedhje në Itali.



