Shkëlzen Berisha u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me dëshminë e tij si person që ka dijeni për privatizimin e OSHEE-së.
Pas daljes nga Krimet e Rënda ku mori pjesë në seancën gjyqësore për padinë që ai ka ngritur ndaj Ballës për shpifje lidhur me çështjen CEZ, ai akuzoi deputetin socialist se fshihet pas imunitetit.
Djali i ish-kryeministrit Berisha tha se gjykata ka frikë të shprehet.
"Për të dhënë drejtësi, duhet të kuptoni gjendjen ku ndodhet drejtësia sot, kanë frikë të thonë nëse kjo është apo jo një shpifje", tha Berisha.
Përsa i përket CEZ, Berisha deklaroi se ajo është një shashkë dhe nuk kam lidhje as me privatizimin dhe as me CEZ në Shqipëri. Shkëlzen Berisha hodhi akuza edhe ndaj Taulant Ballës duke thënë se ka një damkë si shpifës, dua që të marrë një përgjigje ligjore.
"Gjykata e Lartë është institucioni më i lartë dhe një kryeprokuror dhe gjykatës që ka frikë mund të kthejë sërish në gjykatën e Lartë. Balla e ka një damkë si shpifës, dua që të marrë një përgjigje ligjore. CEZ? Kjo është cështje e ndryshme, për të cilën Balla thotë se për tre vite nuk kam paguar asnjë taksë. Unë kam paguar mbi 50 mln lekë taksa. Përsa i përket CEZ është një shashkë dhe kam deklaruar atë që kam deklaruar para jush. Nuk kam lidhje as me privatizimin dhe as CEZ në Shqipëri. Taulant Balla ka thënë që unë nuk kam paguar asnjë taksë, unë dua transparencë, kam dokumente nga tatimet, kam paguar taksa. Balla është i vetmi kryetar grupi që nuk zbaton vendimin e Apelit si shpifës dhe fshihet pas Ramës dhe nuk paguan detyrimin. Nëse ky vend do të kishte prokurori, Balla do të ishte proceduar", tha Berisha.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë me seriozitet atë që ai e quan aferën e privatizimit të CEZ, me një dëm sipas Ballës prej 414 mln euro dhe që pas kësaj afere sipas socialistëve qëndron djali i ish-kryeministri Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
"I bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë këtë dosje me seriozitetin më të madh, të zbatojë vendimin e Gjykatës e Krimeve të Rënda që i ka kërkuar Prokurorisë që të marrë në pyetje të personave si Shkëlzen Berisha, Genc Ruli, Sali Berisha, sikur Nue Nikalaj. I bëj thirrje prokurorisë që ky person të gjendet. Ndoshta komisionit hetimor ju shmang. Ky person duhet gjetur. Ditën për diell ka tërhequr 6.8 mln euro, para të vërtetuara që kanë qenë pagesë komisioni, e thënë shqip pagesë seksesi për një privatizim më i dështuari dhe më i rëndi për shpinën e varfër të shqiptarëve, 414 mln euro dëmi i shkaktuar shqiptarëve. Për sa i përket llokoçitjeve të të birit të babait, se paska punuar me punë të ndershme, një njeri që nuk i ka thënë një herë mirëmëngjesi punës", tha Balla.
Socialisti deklaroi se djali i ish-kryeministri nuk ka firmosur asnjëherë në ndonjë punë dhe ka arritur të përfitojë shuma të majme për shkak të komisioneve.
"Një njeri që nuk ka firmosur një herë në një vend pune dhe të vetmet të ardhura i ka deklaruar si komisione merrja këtij dhe çoja këtij. Merrni librin e deklarimit të kontrollit të pasurisë, të vetmen punë me të ardhura marramendëse. Sali Berisha dhe PD nuk duan që reforma në drejtësi të implementohet dhe jemi në këtë situatë me klithma kundër prokurorisë dhe gjykatësit", theksoi Balla.



