Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar serish që të përfundojnë konsituimin e organit ligjvënës edhe në përpjekjen e 33-të.
Seanca ka vazhduar me pikën e rendit të ditës të përcaktuar nga kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, formimi i komisionit parlamentar për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Për të 25-tën herë, ka dështuar themelimi i këtij komisioni, pasi përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.
Në sallë kanë qenë 100 deputetë, ndërkaq vetëm 51 kanë votuar për komisionin “ad hoc” për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, një kundër dhe asnjë abstenim.
Procesi i konstituimit është bllokuar që nga 15 prilli, pasi Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë siguruar shumicën për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare të Kuvendit.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar legjitimitetin e kërkesës së këtyre partive për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kërkesa për formimin e një komisioni mbikëqyrës për këtë proces po kundërshtohet ashpër nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA.
Vazhdimi i radhës është caktuar për të enjten në orën 10:00.



