
Ish-presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se Partisë Demokratike i janë vendosur minat nga Lulzim Basha që kur ka marrë drejtimin e saj.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ai thekson se Basha nuk po dëmton vetëm PD por sipas tij edhe Shqipërinë e interesin kombëtar.
Ndërsa lidhur me përjashtimin e Berishës, Nishani vijon ta cilësojë një pazar mes kryeministrit Edi Rama dhe Bashës.
L. Basha sot nuk po dëmton thjesht e vetëm Partinë Demokratike. Asaj partie ai i ka vënë minat me kohë e aq shumë sa e ka dëmtuar nuk ka ku ta çojë më. L. Basha sot po dëmton rëndë Shqipërinë dhe Interesin Kombëtar. Pse Shqipëria dhe Interesi Kombëtar janë duke u dëmtuar rëndë prej L. Bashës? Në një kohë që Shqipëria drejtohet nga një qeveri thellësisht antikombëtare, vasale e qarqeve më shqiptarofobe të Beogradit, kësaj qeverie s’ka kush ti dalë përballë e ta rrëzojë!
Ndërkohë që Serbia po kërcënon rëndë për destabizimin e të gjithë rajonit dhe po përgatitet me shpejtësi për një luftë të re rajonale, qeveria në Shqipëri shërben se make up i shëmtuar i hegjemonisë serbe në Ballkan, opozita e L. Bashës fshihet dhe nuk guxon të ngrejë popullin në këmbë kundër kësaj qeverie kolaboracioniste. L. Basha e ka kthyer PD dhe opozitën në një fasadë të shëmtuar të qeverisjes së E. Ramës. Ky është bashkëpunimi më i turpshëm i L. Bashës me E. Ramën në dëm të Interesit Kombëtar dhe në interes të Destabilitetit Rajonal. Partia Demokratike duhet shpëtuar sa më parë që të shpëtojë Shqipëria.



