Propozimi i presidentit, Hashim Thacci për të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë është konsideruar si një masë ekstreme nga qeveria. Me sa duket, kryeministri Albin Kurti nuk është pajtuar me Presidentin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Qëndrimin e kryeministrit dhe qeverisë e ka prezantuar në një konferencë për mediat, zv/kryeministri Haki Abazi, sipas të cilit, Qeveria do të shqyrtojë situatën nëse në një periudhë të caktuar mund të krijohen rrethanat për shpalljen edhe të gjendjes së jashtëzakonshme.
Abazi tha se kryeministri ka shprehur qëndrimin e tij se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën Presidenti e ka propozuar.
“Ne mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata, sigurisht edhe të veprohet në momentin e duhur kur e kërkon nevoja dhe kur vendi gjendet në një situatë që kërkon një veprim të tillë”, tha zv/kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, tha se do të propozojë në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri.



