Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit do të betohen sot para Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Mësohet se ceremonia e betimit do të bëhet në orën 10:00 në Presidencë.
I gjithë kabineti i ri qeverisës, ashtu sikurse në mandatin paraprak, pritet të mbërrijë si një grup i vetëm duke ecur nga kryeministria në drejtim të presidencës, ndërsa pas ceremonisë së betimit, në Presidencë do të organizohet edhe një kokteil.
Pas një seance maratonë që zgjati 20 orë, qeveria e re “Rama 3” ka marrë votëbesimin e Kuvendit të Shqipërisë në orët e para të 17 shtatorit.
Votimi është përmbyllur me 77 vota pro, 53 kundër dhe vetëm 1 abstenim.
Kabineti i ri i Edi Ramës, do të përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.
Gjithsesi qeveria “Rama 3” betohet sot te një President që është shkarkuar nga Kuvendi i vjetër, por jo nga Gjykata Kushtetuese.



