Ka nisur seanca plenare në parlament. Në hyrje të Kuvendit nuk janë të pranishme masat e marra në seancat e mëparshme nga Garda e Republikës.
Në një lidhje me MCN Live gazetari Andon Kello ka bërë me dije se në rendin e ditës është parashikuar edhe interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, të kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.
Po ashtu, do të diskutohet projektligji mbi aderimin e Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, i nënshkruar në Nju Jork më 10 dhjetor 2008.
Një tjetër projektligj që do të diskutohet gjatë seancës plenare është edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2,” i cili mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Sa i përket opozitës dhe PD-së nuk ka asnjë deputet të përjashtuar dhe të gjithë mund të jenë në sallë, po ashtu dhe në seancën e radhës e parashikuar maratonë ku do diskutohet buxheti 2025.



