Kryeministri Rama u ndal sot në Lushnje, nga ku deklaroi se kandidatja socialiste Eriselda Sefa nuk krahasohet me dy kandidatët e tjerë, që sipas tij janë dy ambasadorë të një sherri pa fund.
Kreu i qeverisë theksoi se sado të mirë të jenë kandidatët rivalë si persona, zhvlerësohen nga fakti që pranuan të bëhen “bedelë” të dy rrymave që u krijuan si sherr personal.
Shumë njerëz thonë punë e madhe që ka zgjedhje se njësoj është. Nuk është njësoj, edhe tani në 6 mars, nuk është njësoj. Është shumë ndryshe nëse zgjidhet Eriselda apo njëri nga ata dy të tjerët. Nëse zgjidhet dikush që do merret me punët e qytetit, e fshatit, që do t’u shërbejë njerëzve sa më mirë, dhe nëse zgjidhen dy të tjerë që janë këtu si ambasadorë të një sherri pa fund që është në Tiranë. Sado të mirë të jenë si persona, fakti që kanë pranuar të bëhen bedelë të dy rrymave të krijuara atje nga një sherr komplet personal, i zhvlerëson si shërbëtorë të qytetit. Çfarë do bëjnë ata? Do dalin këtu të flasin për bravën apo do t’u thonë sa e rëndësishme është të marrin varenë?!”, tha Rama.



