
Drejtoresha e komunikimit në Partinë Demokratike, Floriana Garo thotë se prej më shumë se dy javësh, Gjykata e Tiranës nuk kthen përgjigje dhe nuk vë në dispozicion të Partisë Demokratike vendimin duke u bëre pengesë për të ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin.
Ajo tha për mediat se Gjykata favorizon një fraksion i cili pasi mbajti peng vulën e demokratëve për muaj me radhe, tani kërkon përsëri t’i bllokojë ata nëpërmjet marifetesh proceduriale.
Konkretisht, që në datën 26 Prill, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës së Tiranës që t’i komunikojë vendimin e gjyqtares Blerina Muçaj e cila pranoi ankimin e deputetit Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të Partisë Demokratike, me qëllim që të ushtronim të drejtën tonë ligjore të ankimit.
Prej më shumë se dy javësh, Gjykata e Tiranës nuk kthen përgjigje dhe nuk na vë në dispozicion vendimin duke u bëre pengesë për ta ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin.
Arsyeja e vetme e kësaj manovre vonese është që dosja e regjistrimit në gjykatë te Kuvendit të 11 Dhjetorit të degdiset në Gjykatën e Apelit përpara se Partia Demokratike të ketë mundësinë të ankimojë vendimin e gjyqtares Muça.
Partia Demokratike i bën thirrje drejtuesve të Gjykatës Tiranë, përkatësisht kryetarit Flamur Kapllani dhe Kancelarit Donald Xhelili që të mos bëhen pjesë e këtij skenari bllokimi të paligjshëm.
Në emër të PD, Garo paralajmëroi se në qoftë se deri në përfundim të orarit zyrtar të ditës së hënë ende nuk do t’i jetë komunikuar zyrtarisht vendimi i gjyqtares Muça, atëherë ajo do të paraqesë kallëzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh të përfshirë në këtë skenar të jashtëligjshëm, pavarësisht pozicionit që mban.
Sipas saj, organet drejtuese legjitime të Partisë Demokratike i zgjedhin dhe përcaktojnë vetëm demokratët me votën e lirë dhe s’mund ti diktojë askush, as me vendime gjykate e as me marifete proceduriale.



