Ministri Gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, e ka quajtur si “gabim serioz politik” dështimin e miratimit të kornizës negociuese për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe, me disa kushte, edhe me Shqipërinë.
Para nisjes së diskutimeve në Këshillin e Çështjeve të përgjithshme të BE-së, të cilin e kryeson Gjermania, ministri gjerman tha se lidhur me procesin e zgjerimit “për fat të keq deri më tani nuk kemi arritur progres për gjëra për të cilat më parë ishim pajtuar”.
“Ne po bëjmë gjithçka në mundësitë tona si presidencë që të arrijmë deri tek pajtimi sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të mundësohet konferenca e parë e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe, poashtu, varësisht nga përmbushja e disa kushteve të mbetura edhe me Shqipërinë. Çfarëdo tjetër do të ishte një gabim serioz politik në dëm të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor që poashtu do të dëmtonte shumë edhe sigurinë e Evropës në tërësi. Secili do të duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë”, citohet Roth nga Evropa e Lirë.



