
Presidenti Meta thotë se në Shqipëri ka politikanë që punojnë kundër interesit të shqiptarëve. Në përfundim të takimit me ambasadorin Luigi Soreca dhe me ambasadorët e tjerë të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë, Meta tha se në Kuvend kanë kaluar ligje që kundërshtohen nga Venecia.
“Sot problemi është kapja e drejtësisë nga politika, shkelja e kushtetutës siç ka ndodhur deri tani. Në mënyrë të njëanshme kanë kaluar ligje në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Çështja më e rëndësishme është që sot për fat të keq kemi politikanë që punojnë kundër interesit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Integrimi Evropian është interesi i parë dhe i fundit i shqiptarëve”, tha Meta.
Lidhur me hapjen e listave, kreu i Shtetit tha se pret implementimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe hapjen 100% të listave.
“Unë pres vetëm kodifikimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Hapja e listave 100% duartrokitet nga unë në mënyrën më të përzemërt këtë nuk e bëj thjesht se nuk kandidoj. Unë them mos keni frikë nga vota e qytetarëve dhe nga hapja e listave. Shqipëria nuk ka parlamentarizëm sepse nuk ka debat dhe mbrojtje të të drejtave të qytetarëve, sepse deputetët, jo të gjithë janë kthyer në kukulla të kryetarëve. Unë nuk duhet të merrem me direktivat e brendshme apo publike që jepen në këtë drejtim. Unë di një gjë, si përfaqësues i unitetit të kombit, nëse dikush përpiqet të barazojë fatin me tij me fatin e gjithë shqiptarëve, mua nuk më vjen keq për fatin e tij. Jam këtu për t’i shërbyer të ardhmes evropiane”, tha kreu i shtetit.



