
Deputeti demokrat Xhelal Mziu deklaroi në MCN Live se reforma territoriale e vitit 2014 ka nxjerrë probleme thelbësore duke i çuar bashkitë në faliment.
Lidhur me reformën e re territoriale Mziu thekson se zgjidhja optimale për banorët do të ishte që të kishin nga 80 deri në 100 bashki, pasi u është larguar ndjeshëm shërbimi.
Sot vendi është kthyer në një shtet monist, ku gjithë qeverinë, pushtetin vendor dhe institucionet e tjera i ka një parti. Edhe reforma e vitit 2015 është kthyer tamam në një shtojcë të pushtetit qendror. Për herë të parë kemi bashki që sot shpallin falimentin. Kjo ka ardhur jo vetëm për shkak të reformës së pa studiuar. Por ka ardhur për një arsye që qeveria e përdor pushtetin vendor si shtojcë për të maksimalizuar vota, sa herë ka votime në Shqipëri. Dy janë shtyllat kryesore të funksionimit të pushtetit vendor, dhënia e kompetencave, bërja e pushtetit vendor më autonom dhe ndarja territorial. Të dyja këto në vitin 2014 janë votuar në mënyrë të njëanshme nga një parti. Jo pak faj ka edhe PD që s’ka marrë pjesë. Duke qenë se kjo reformë ka nxjerrë probleme thelbësore, duke i çuar bashkitë në faliment, duhet gjetur një formulë që t’i japë zgjidhe autonomisë dhe ofrimit të shërbimeve pranë qytetarëve. Kemi mjaftueshëm për të marrë eksperiencë nga vendet e rajonit. Ne kemi njësi me mesatare 3-4 herë më shumë se Franca dhe Italia. Nuk besoj se ato s’ia dinë rëndësinë pushtetit vendor. I kanë lënë në mënyrë të qëllimshme sepse shërbimet duhet të jenë pranë qytetarëve. Bërja e reformës duke e reduktuar në 61, ka centralizuar zonën urbane të Shqipërisë, ka shpopulluar vendin, e ka bërë bujqësinë të pashfrytëzuar”.
Në punën që kemi pasur në komision, në aspekt të ndarjes gjeografike ka pasur partnerë të rëndësishëm si USAID apo BE. Ka një interval nga 80 në 100, edhe ajo 92 mund të jetë një opsion, por nuk janë gjërat të prera me thikë. Për mua duhet të jetë një interval 80-100. Çdo numër mes 80-ës dhe 100-ës do konsiderohej zgjidhje optimale për banorët. Ne ua kemi larguar shërbimin qytetarëve. Jam kundër disave që e trajtojnë bashkinë si sh.a që duhet të nxjerrë fitim. Pushteti vendor është social në radhë të parë. Qeveria duhet ta bëjë më ligj, t’i japë atë që i takon. Ne sot i japim vetëm 1 për qind grant bashkive. Vendet pranë nesh, në raportin më të ulët është 3 për qind. Kuptohet Evropa ka shifra shumë më të larta”.
Deputeti u shpreh kundër qëndrimeve të eksponentëve të mazhorancës për bashkim të bashkisë së Kamzës dhe Vorës me Tiranën.
Mazhoranca jep deklarata të ndryshme, janë kthyer thjesht zëdhënësa ndoshta të kryeministrit, ose e përdorin për të tërhequr vëmendjen. Nëse Mazniku pretendonte për të bashkangjitur edhe Kamzën e Vorën, i kërkuam merr edhe Durrësin, që ta kthesh unike, një shtet një bashki. Qëndrimi i PD dhe unë si pjesë e komisionit, unë them që Tirana nuk mundet t’i shërbejë edhe rrethinave. Do ishte zgjidhje që Tirana të jetë ajo që ka qenë më para. Në periferi të ketë tre bashki. Kamzës t’i jepet Kodër Kamza, t’i jepet Zall Herri. Ka të bëjë edhe gjeografia, kultura. Asnjë lidhje s’ka Kamza dhe Paskuqani me Tiranën”.
Në fund të intervistës Xhelal Mziu paralajmëroi gjithashtu se ujësjellësat kanë për t’i falimentuar bashkitë.



